20/03/2007
Një sistem më i mirë identifikimi i votuesit është një përparësi për vendin, thotë kryeministri Sali Berisha.
Nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë – 20/03/07
![]() Sa herë që vendi mban një zgjedhje, votuesit duhet të përdorin certifikatat e lindjes dhe dokumente të tjera të ndryshme për të provuar identitetin e tyre. [Getty Images] |
Gjatë zgjedhjeve, shqiptarëve u është dashur të mbështeten në certifikatat e lindjes dhe mjete të tjera identifikimi për të provuar se kush janë. Pengesat e përfshira kanë ndezur një zhurmë çdo cikël zgjedhor. Qeveria po kërkon tani t'i kthehet problemit duke ringjallur idenë e kartave të identitetit ID, propozuar së pari shtatë vjet më parë.
Sipas autoriteteve, kartat e ID do të lëshohen për shtetasit mbi moshën 16 vjeç. Për të parandaluar përdorimin mashtrues, kartat do të përfshijnë gjurmët e gishtrinjve të zotëruesit, një qark kompjuterik që përmban të dhëna rreth mbajtësit dhe një numër të pandryshueshëm identifikimi.
Futja e kësaj forme ID do të "heqë qafe maninë e certifikatave një herë e përgjithmonë," premton kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, nisma është një përparësi e lartë dhe qeveria po përgatitet të ndajë fondet shtetërore për ministrinë e brendëshme që të sigurohet realizimi i saj.
Kartat e reja të ID kanë për qëllim jo vetëm të ndihmojnë garantimin e zgjedhjeve të rregullta në të ardhmen, por gjithashtu të ndihmojnë vendin të përmbushë kushtet e paraqitura nga BE në kuadrin e marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit me Shqipërinë.
E meta e përdorimit të certifikatave të lindjes doli prapë edhe një herë gjatë zgjedhjeve lokale të muajit të fundit, të cilat qenë plot me ankime. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Shqipërisë të rregullojë sistemin e vet të ID si pjesë e reformës së përgjithëshme zgjedhore.
Analystët kanë përshëndetur masën e qeverisë ndërsa vënë në dukje se procesi i ri i ID do të kërkojë një regjistrim. Ky nga ana e vet, do ta bënte të nevojshme llogaritjen e numrit të shqiptarëve që banojnë jashtë.
Debati mbi kartat e ID nuk është i ri. Në vitin 2000 auutoritetet u përpoqën të lëshojnë një "kartë zgjedhore" për të gjithë ata që qenë të lejuar të votonin. Megjithatë, projekti dështoi pasi autoritetet nxituan ta përfundojnë procesin pa planifikimin e duhur.