06/10/2008
Të dielën u bënë zgjedhjet lokale për kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiake në të gjitha komunat e Bosnje dhe Herzegovinës. Vëzhguesit thanë se votuesit shkuan kryesisht pas besnikërive etnike.
Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë – 06/10/08
![]() Rreth 55% e votuesve të regjistruar votuan në zgjedhjet e së dielës (5 tetor). [Getty Images] |
Të dielën (5 tetor) u bënë në Bosnje dhe Herzegovinë zgjedhjet për kryetarët e bashkive të qyteteve dhe anëtarët e këshillave të qyteteve për një term katër-vjeçar.
Vëzhguesit i karakterizuan rezultatet të ndiqnin kryesisht vijat etnike. Shkencëtari i politikës Asim Mujkiç i Universitetit të Sarajevës i tha Reuters: "Në qoftë se kjo prirje vazhdon, zgjedhjet parlamentare në 2010 do të shkojnë në një regjistrim etnik."
Një nga fituesit më të mëdhej ishte Bashkimi i Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) e kryeministrit të Republika Srpska (RS), Milorad Dodik, që fitoi 32 gara bashkiake, duke përfshirë atë të Banja Lukës dhe shumicën e qyteteve e qytezave në RS. Partia Demokratike Serbe (SDS), pretendenti tjetër i madh në RS, mbajti shumicën në Doboj, ndërsa në Bijelina, gara për kryebashkiakun midis SDS dhe SNSD mbetet e papërcaktuar.
Një tjetër fitimtare e madhe ishte Partia më së shumti boshnjake e Veprimit Demokratik (SDA) e cila sipas rezultateve paraprake fitoi 38 gara për kryebashkiakët duke përfshirë ato të gjashtë bashkive në Sarajevë dhe një numër komunash në dhe rreth Tuzlës. Ajo gjithashtu fitoi vota në Bosnjen qendrore ku mundi Bashkimin Demokratik Kroat të BiH (HDZBiH). "SDA është në rrugën e saj për t'u bërë partia më e fortë politike në gjithë territorin e BiH," i tha Dnevni Avaz presidenti i SDA Sulejman Tihiç.
HDZBiH, e cila humbi në Bosnjen qendrore ndaj SDA, fitoi 15 gara për kryebashkiakë në gjithë vendin. Ajo doli më mirë në qytettet e mbizotëruar nga kroatë në BiH, si Çapljina dhe Tomislavgrad ku fitoi garat kryebashkiake. Ajo fitoi gjithashtu në Mostar.
Partia multietnike Social Demokratike (SDP) korri gjithashtu disa fitore kyçe. Votuesit rizgjodhën të gjithë kryebashkiakët ekzistues, dy në bashkitë e Sarajevës dhe disa komuna në kantonet e Tuzla e Bihaç, më e shquara, në Brcko.
Këtë vit, të dy njësitë, Federata e BiH (FBiH) dhe RS mandatuan se të gjithë qyteteve u duhej një shumicë e thjeshtë për të zgjedhur kryebashkiakët e tyre.
Sipas të dhënava paraprake zgjedhore, pjesëmarrja në votime ishte 55% megjithëse ishte më e lartë në zonat rurale se sa urbane. Në qytetet si Sarajevë, Tuzla, Zenica, Mostar dhe Banja Luka, pjesëmarrja shkonte nga 40 në 50%.
Pati më tepër se 1,300 vëzhgues internacionalë dhe lokalë. Autoritetet nuk raportuan probleme të mëdha të sigurisë. Pati megjithatë disa shkelje të ndërprerjes së reklamave të fushatës ditën përpara zgjedhjeve, rasti kryesor ndodhi kur TV shtetërore e RS transmetoi një reklamë në favor të SNSD qeverisëse të shtunën.
Komisioni Qendror Zgjedhor do të botojë brenda 30 ditësh rezultatet përfundimtare.