09/10/2008
Asambleja e Përgjithëshme e OKB miratoi të mërkurën (8 tetor) një rezolutë serbe që i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vlerësojë ligjishmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 09/10/08
![]() Kryeministri serb Mirko Cvetkoviç e quajti votën e OKB "një sukses të madh" për Beogradin. [Getty Images] |
Të mërkurën (8 tetor) Asambleja e Përgjithëshme e OKB, me nismën e Serbisë, i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) opinion mbi ligjishmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt.
Zyrtarët e Beogradit e përshkruan kalimin e nismës si një triumf për diplomacinë serbe ndërsa politikanët e Prishtinës shprehën pakënaqësi por ngulën këmbë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Serbia do që ICJ të përcaktojë në se pavarësia e Kosovës, e shpallur njëanshmërisht nga Prishtina "është në përputhje me ligjin ndërkombëtar". Përfaqësuesit e 77 vendeve votuan pro, gjashtë qenë kundër dhe 74 abstenuan.
Megjithatë, gjykatës mund t'i duhen vite të marrë vendim dhe vendimet e saj nuk janë detyruese për vendet. Sipas zyrtarëve të Beogradit, Serbia nuk dëshëron të paditë vendet që kanë njohur Kosovën sepse kjo do të ishte në kundërshtim me dëshirën e saj për t'u bashkuar me të shpejtë me BE.
Asambleja e Përgjithëshme e OKB priti një debat të nxehtë përpara kalimit të rezolutës. Ndihmësja e nënsekretarit të shtetit të SHBA Rozmari DiKarlo tha se pavarësia e Kosovës përputhej me ligjin ndërkombëtar. Ambasadori britanik në OKB Sër Xhon Soers tha se Serbia e bëri kërkesën e vet "kryesisht për arsye politike dhe jo ligjore".
Megjithatë, pesë vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën mbështetën nismën e Serbisë. Përfaqësuesi spanjoll Huan Antonio Janez-Barnuevo tha se statura e OKB në komunitetin ndërkombëtar e bënte atë "një çështje të interesit të përgjithshëm" që ICJ të vlerësonte diçka aq të rëndësishme sa shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri serb Mirko Cvetkoviç e quajti votën e OKB "një sukses të madh" për Beogradin. Ai priste tani që tensionet të zbuteshin dhe "gjërat të zgjidheshin në një atmosferë më paqësore në të ardhmen".
Ministri për Kosovën dhe Metohinë, Goran Bogdanoviç tha se përfundimi "konfirmon vlefshmërinë e përpjekjes së Serbisë". Sipas tij, objektivi i fundit i Serbisë është të rinisë statusin e negociatave.
Megjithatë, zyrtarët e Kosovës e hodhën poshtë një mundësi të tillë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme."
"Ne besojmë se shqyrtimi i kësaj çështjeje përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të pengojë vendet e tjera për të vlerësuar përparimin konstant në Kosovë dhe vendosjen për të njohur pavarësinë e saj," tha presidenti Fatmir Sejdiu.
Ai shtoi se Kosova ka në plan të marrë pjesë aktive në procesin e ICJ dhe pret që gjykata të jetë e paanëshme dhe e ndershme.
Në këtë raport kontribuoi korrespondentja e Southeast European Times Blerta Foniqi-Kabashi