12/03/2012
Të dy vendet trajtojnë krimin në rritje pa kufij që mund të vërë në shënjestër turistët gjatë sezonit të verës.
Nga Drazhen Remikoviç për Southeast European Times në Podgoricë -- 12/03/12
![]() Një njësi e posatçme e policisë malazeze trajnohet në Podgoricë. [Reuters] |
Policia serbe e malazeze ranë dakort që të patrullojnë bashkërisht bregun malazes gjatë sezonit të ardhshëm turistik, si dhe të formojnë ekipe për të luftuar krimin e organizuar në shembullin më të fundit të bashkëpunimit rajonal policor.
"Dëshirojmë që të tregojmë se bashkëpunimi policor mes të dy vendve është thelbësor [për të penguar krimin]," tha Shefi i Policisë së Serbisë Millorad Veljoviç.
Zëdhënësi i policisë së Malit të Zi Radomir Radunoviç tha për SETimes se liria e lëvizjes e kriminelët që nuk i shohin kufijtë si pengues e bëjnë të nevojshë një metodë të tillë.
"Ajo përfshin shkëmbimin e përvojës policore, trajnimin profesional për anëtarët e të dy [forcave] policore e ndihmën me hetimet," tha Radunoviçi.
Pronari i agjencisë turistike të Podgoricës Liky Turs, Zheljko Likoviç është mes shumë punonjësve të turizmit që e mirëpriti marrëveshjen e policisë për të bashkëpunuar.
"Eshtë shumë e rëndësishme që vizitorët tanë të ndihen të sigurtë në Malin e Zi. Nuk do të them se Mali i Zi është i pasigurtë, por ky veprim është i rëndësishëm për qëllimin e parandalimit, në mënyrë që njerëzit kanë dikë që t'i kërkojnë ndihmë po të jetë e nevojshme," tha Likoviçi për SETimes.
Liky Turs rregjistroi më shumë se 2,000 turistë nga Serbia vitin e kaluar e Likoviçi pret një numër edhe më të madh pushuesish serbë këtë vit.
Banori i Beogradit Dragan Samolov, 43 vjeç, tha se familja e tij pushon çdo vit në qytetin malazez të Kotorrit e nuk ka patur kurrë ndonjë problem të lidhur me sigurinë.
"Gjatë gjithë këtyre viteve, kam parë të rinj, që e kanë gjakun pak më të nxehtë se i yni, i njerëzve më të vjetër, që zihen ndonjëherë. Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe: ndodh kudo," tha Samolovi për SETimes.
Samolovi shpjegoi se disa kohët e fundit mbanin armë të fshehura e policia do të bënte mirë t'a trajtonte çështjen. "Megjithatë, duke vizituar Malin e Zi për dy dekada, nuk kam parë ndonjë zënkë ku të përfshihen armët."
Zyrtarët thonë se marrëveshja mbështetet mbi bashkëpunimin në vazhdim mes forcave policore serbe e malazeze.
Radunoviçi shtoi se Mali i Zi është i hapur për bashkëpunim në një mënyrë të ngjashme me forca të tjera policore rajonale.
Puna e përbashkët policore nuk është e re për policinë kroate, që ka zbatuar projektin e Sezonit të Sigurtë Turistik me forca policore nga Sllovenia, Hungaria, Austria, Republika Çeke e Gjermania.
Hungarezët përbëjnë numrin më të madh të policëve vizitues në Kroaci, sepse një numër i madh turistësh hungarezë pushojnë rregullisht në bregun kroat. Dyzet policë hungarezë patrulluan bregun kroat me kolegët e tyre kroatë verën e kaluar.
Policia kufitare e Bosnjë dhe Hercegovinës ka punuar gjithashtu bashkërisht me homologët kroatë të saj. Ata patrullojnë pikërisht përgjatë Lumit Sava, që përbën një kufi mes të dy vendeve.
Ngjashmërisht, policia e Kosovës ka bashkëpunuar me policinë shqiptare prej dy vitesh, duke përforcuar bashkërisht sigurinë rrugore gjatë sezonit të verës në Shqipëri, ku pushojnë shumë shqiptarë të Kosovës.
Profesori i Fakultetit të Sigurisë e Mbrojtjes të Banja Lukës, Predrag Çeraniç tha për SETimes se puna e përbashkët policore është një formë e shkëlqyer e bashkëpunimit, duke ditur se kriminelët po përshtaten e riorganizohen rajonalisht për t'ia hedhur policisë.
"Kriminelët bashkëpunojnë me homologët e tyre nga vendet fqinjë kështu që është thelbësore që policia të bashkëpunojë po ashtu [për të qenë në gjendje që t'u kundërvihet atyre]. Kjo do të bëhet një prirje në rajon e do të jetë përfundimisht më vështirë për kriminelët në kushte të tilla," tha Çeraniçi.
Veljoviçi sugjeroi që forcat e policisë t'a vazhdojnë prirjen në rajon e përtej. "Dëshirojmë që bashkëpunimi policor mes Serbisë e Malit të Zi të përdoret si një shembull për mbarë rajonin e ndoshta në Evropë si një e tërë."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes