15/03/2012
Ndonse KoE thotë se 20% e fëmijëve në Evropë përballen me abuzim seksual, Mali i Zi ka ende një qëndrim patriarkal ndaj këtij problemi.
Nga Drazhen Remikoviç për Southeast European Times në Podgoricë -- 15/03/12
![]() Mali i Zi sigurisht nuk është i imunizuar ndaj këtij problemi, tha Zëvendës/Ministrja e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Blanka Radosheviç Maroviç. [Reuters] |
Në një përpjekje për të ndihmuar të zhdukë abuzimin e fëmijëve në Malin e Zi, Kryeministri Igor Lukshiç caktoi një ekip më parë këtë muaj për të marë pjesë në fushatën 1 në 5 të Këshillit të Evropës (KoE).
Projekti ka për qëllim të mbërrijë te të gjithë 47 vendet anëtare të KoE-së -- ku përfshihen të gjitha vendet e Evropës Juglindore -- dhe do të vazhdojë deri më 2014.
Ekspertët thonë se abuzimi seksual i fëmijëve është i pranishëm në Malin e Zi e autoritetet premtojnë se do t'a trajtojnë atë.
Zëvendës/Ministrja e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Blanka Radosheviç Maroviç, tha se ekipi kombëtar do të kryejë studim të hollësishëm mbi tre probleme.
"Duhet të hetojmë [për të përcaktuar] fushat ku është më e pranishme dhuna seksuale ndaj fëmijëve. Në Evropë, një në pesë fëmijë ka përjetuar ndonjë formë të abuzimit seksual. Mali i Zi sigurisht nuk është i imunizuar ndaj këtij problemi," tha Radosheviç Maroviçi për SETimes.
Të dhënat e KoE-së tregojnë shtrirjen dramatike të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Sipas të dhënave, 20% e fëmijëve në Evropë janë të ekspozuar ndaj ndonjë forme dhune seksuale. Në 70% deri në 80% të rasteve, abuzuesi ishte një person që fëmija e njihte dhe i besonte.
Ministria e Familjes, Çështjeve të Veteranëve e Solidaritetit Ndërbrezëror e Kroacisë dhe Qendra e Traumës së Inçestit e Serbisë, po punojnë gjithashtu me fushatën.
Irene Jerina, edukatore e arsimit fillestar tha për SETimes se Mali i Zi, si dhe i tërë Ballkani, është ende një shoqëri patriarkale ku vetëm përmendja e këtij problemi është turp.
"Jemi një shoqëri shumë patriarkale dhe mendoj se ky problem është shumë i pranishëm në Malin e Zi. Por fëmijët thjeshtë nuk [flasin] sepse [në shoqërinë tonë] kjo është e shënuar si një turpërim," tha Jerina.
Megjithatë, nuk ka të dhëna të tanishme mbi përhapjen e abuzimit.
Ljiljana Raiçeviç, drejtore e Shtëpisë së Sigurtë të Grave -- streha më e madhe e grave në Malin e zi -- tha se institucioni i saj kishte parë disa raste.
"Në Malin e Zi, askush nuk mban të dhëna rreth numrit të fëmijëve të abuzuar seksualisht. Me sa di unë, katër raste të tilla u njoftuan vitin e kaluar ku autorët e krimeve e fëmijët e abuzuar ishin të lidhur ngushtë. E gjitha përfundoi [duke mbetur] brenda familjes," tha Raiçeviçi për SETimes.
"Dy djem në një qytet [verior] ... u abuzuan seksualisht nga fqinjët që i tërhiqnin në shtëpinë e tyre me dhurata të vogla e para. Kur i ati e njoftoi rastin në polici, [u përhapën] histori të shëmtuara e fëmijët vuajtën fyerje nga shokët e tyre në shkollë. Përfundimisht atyre iu desh të iknin që andej. Institucionet nuk reaguan fare," vuri në dukje Raiçeviçi.
Dajana Svaljek, 34 vjeç, nënë e dy fëmijëve të rinj në qytetin bregdetar të Barit, tha se deri tani nuk kishte dijeni nëse dikush pranë saj kishte patur këtë problem, por tani që është e informuar, ajo është vigjilente.
"Në rrugë janë të gjithë llojet e njerëzve -- kurdoherë duhet të mbajmë një sy ndaj fëmijëve tanë. Nëse diçka kaq e tmerrshme i ndodh fëmijës tim, nuk do të mendoj dy herë, as për asnjë çast; do t'i njoftoj menjëherë autorët e krimit në polici," tha Svaljeku për SETimes.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes