03/10/2008
ANKARA, Turqi -- Është koha për Turqinë të përtërijë kushtetutën e vet në një mënyrë që të pasqyrojë të gjithë vendin e shoqërinë, tha të enjten (2 tetor) Kristina Nagi, zëdhënëse e komisionerit të zgjerimit të BE, Olli Rehn. Turqia duhet të zbatojë një program tërësor e të qëndrueshëm të reformave politike, shtoi Nagi. Vendi duhet gjithashtu të zbatojë reformën gjyqësore dhe të forcojë të drejtat e sindikatave, tha ajo, duke e përshkruar pranimin e Turqisë në BE si një proces të gjatë e të vështirë, me procesin e reformës në çdo hap aq të rëndësishëm sa anëtarësimi përfundimtar. Nagi vuri në dukje se kapitujt e rinj do të hapeshin në procesin e negociatave me Turqinë, në dhjetor, përveç tetë të tjerëve që janë hapur tashmë. (Milliyet - 03/10/08; Anadolu news agency, Hurriyet - 02/10/08)