19/03/2010
BRUKSEL, Belgjikë -- Kryeministri grek Jorgo Papandreu po u kërkon udhëheqësve të BE që të bien dakord mbi një mekanizëm financiar për vendin e tij kur të takohen javën e ardhshme. Takimi i nivelit të lartë të BE filloi në Bruksel të enjten me krizën e borxhit të Greqisë në krye të rendit të ditës. "Nuk po kërkoj fonde, por dua të shoh një instrument në tryezë ... një kredi që do të ishte e mjaftueshme për të siguruar ndalimin e përhapjes dhe largimin e spekullantëve," i tha të hënën (18 mars) Papandreu një komiteti parlamentar europian. Të mërkurën, ai nuk përjashtoi mundësinë e kërkimit të ndihmës nga FMN po të jetë e nevojshme.
Në Greqi, shoferët e taksive dhe pronarët e stacioneve të karburantit bënë një grevë 24 orëshe të enjten kundër reformave të planifikuara që do t'i detyrojnë ata të lëshojnë fatura të TVSH për klientët. Shifrat e reja të papunësisë të dala të enjten treguan se norma e papunësisë në tremujorin e katërt të 2009 u ngjit në 10.3% e krahasuar me 7.9% një vit më parë. (AFP, Bloomberg, AP, Financial Times - 18/03/10)
19/03/2010
PRISHTINE, Kosovë -- Siç ishte planifikuar, policia e Kosovës mori të enjten (18 mars) përgjegjësinë për të mbrojtur një monument serb, pak larg Prishtinës. Personeli i KFOR e kishte mbrojtur atë që nga 1999, por thotë se policia ka treguar se është e gatshme për detyrën. Beogradi, politikanët serbë të Kosovës dhe serbët e kanë kritikuar ndryshimin. Ministria serbe për Kosovën tha në një deklaratë se veprimi ngre pikëpyetje rreth sinqeritetit të përpjekjeve për të mbrojtur monumentet historikë të rëndësisë kulturore për serbët. Monumenti në Gazimestan, pak larg Prishtinës, përkujton Betejën e Kosovës të 1389 kundër pushtimit otoman. (BBC, Telegrafi, RTK, Kohavision - 18/03/10)
19/03/2010
PODGORICE, Mali i Zi -- Turneu i Komisionerit të Zgjerimit të BE Stefan Fuele përfshiu të enjten (18 mars) ndalesa në Podgoricë dhe Sarajevë, ku ai diskutoi mbi nevojën për reforma për të çuar përpara procesin e integrimit në BE. Pas takimit me Kryeministrin malazes Milo Gjukanoviç, Fuele u kërkoi autoriteteve që të vazhdojnë të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjukanoviç tha se Mali i Zi shpreson për statusin e kandidatit deri në fund të vitit.
Në Sarajevë, Fuele tha se pret që Komisioni Europian (KE) të vendosë deri në mes të prillit nëse do të rekomandojë heqjen e kërkesave për viza për shtetasit boshnjakë. Fuele e vlerësoi vendin për përparimin e tij në përmbushjen e kritereve të planit të liberalizimit të vizave të BE.
Feule pritet të premten në Kosovë dhe Shqipëri. Ai u citua nga e përditshmja me qendër në Tiranë, Shqip të thotë se KE ka nisur përgatitjen e një opinioni mbi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat të BE. Ai i tha të përditshmes së Prishtinës Koha Ditore se ekziston mirëkuptim në BE lidhur me të ardhmen e Kosovës në bllok, duke shtuar se Bashkimi po mbikqyr institucionet për të parë nëse ato luftojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështje të tjera të përmendura në raportin e përparimit të KE për 2009. (Shqip, Top Channel, Top News, Koha Ditore, Telegrafi, RTK - 19/03/10; B92, Tanjug, RTCG, Portal Analitika, Cafemontenegro, RTRS, Dnevni Avaz, Srna, Fena - 18/03/10)
19/03/2010
TIRANE, Shqipëri -- Qeveria dhe opozita ende nuk tregojnë asnjë shenjë të mirëkuptimit për dhënien fund të bllokimit politik që ka mbërthyer vendin prej muajsh. Një seancë parlamentare mbi zgjedhjet e qershorit 2009 filloi të enjten (18 mars) dhe përfundoi pas mesnate, por dështoi, megjithë shpresat e larta nga bashkësia ndërkombëtare që të jepte rezultat. Qeveria propozon ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar zgjedhjet ndërsa Partia Socialiste e opozitës këmbëngul në hapjen në fakt të kutive të votimit ku u njoftuan parregullsitë. Seanca pritet të vazhdojë të premten. (Shekulli, Lajmifundit, Ora News, Top Channel - 19/03/10)
19/03/2010
NIKOZIA, Qipro -- Presidenti Demetris Kristofias i tha një konference shtypi të enjten (18 mars) se nuk do të kërkojë rizgjedhje nëse bisedimet për ribashkimin e ishullit të ndarë dështojnë. Kristofias dhe udhëheqësi qipriot turk Mehmet Ali Talat kanë rifilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB, që kanë për qëllim dhënien fund të dekadave të ndarjes së Qipros, por bënë vetëm përparim të kufizuar deri tani. Kristofias u zgjodh për një mandat pesë-vjeçar më 2008, duke premtuar të zgjidhë çështjen e Qipros. (AP, Worldbulletin, Hurriyet - 18/03/10)
19/03/2010
ANKARA, Turqi -- Media njoftoi se policia arrestoi të enjten (18 mars) rreth 20 oficerë aktivë dhe në pension si pjesë e hetimit të së ashtu-quajturës organizata Ergenekon. Grupi dyshohet për planifikimin e përmbysjes së qeverisë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet. Arrestimet e së enjtes ishin në tetë qytete. Sipas NTV, në shtëpitë e të dyshuarve u gjetën armë dhe granata. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditur. (Reuters, Hurriyet, Guardian, AP - 18/03/10)
19/03/2010
SOFJE, Bullgari -- Parlamenti miratoi të enjten (18 mars) emërimin e Tomisllav Donçev, ish kryebashkiak i Gabrovos, si ministër të ri pa portofol përgjegjës për administrimin e fondeve të BE. Parlamenti i ka dhënë qeverisë një muaj për të sqaruar saktë detyrat e tij. Kryeministri Bojko Borisov tha se funksioni i ri u krijua për të bashkërenduar më mirë administrimin, i cili deri tani ishte mes përgjegjësive të ministrit të financave. (Dnevnik, darik, BNR - 18/03/10)
19/03/2010
SOFJE, Bullgari -- Parlamenti miratoi njëzëri një projekt-ligj të enjten (18 mars) për të ndaluar kultivimin për qëllime shkencore dhe tregtare të Organizmave të Modifikuara Gjenetikisht (GMO). Votimi erdhi mes debatit të ashpër publik dhe protestave. Në mes të janarit, ligjvënësit patën një lexim të parë miratues të ndryshimeve të propozuara nga qeveria e GERB për të lehtësuar kufizimet e GMO në përputhje me legjislacionin europian. GERB më pas hoqi mbështetjen për ndryshimet. (Dnevnik, BNR, Sofia Echo, EurActiv, Reuters - 18/03/10)
19/03/2010
BEOGRAD, Serbi -- Presidenti Boris Tadiç bisedoi me homologun slloven të tij Borut Pahor rreth takimit të nivelit të lartë BE-Ballkan të së shtunës (20 mars) në Slloveni, konfirmoi qeveria e Tadiç të enjten. Pahor vizitoi Beogradin të mërkurën vonë. Gjatë bisedimeve, Tadiç përsëriti qëndrimin e Serbisë se pjesëmarrja e saj në konferencën e Bërdos do të varet nga ajo nëse Kosova do të përfaqësohet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB apo si një shtet i pavarur. Pahor u tha gazetarëve sllovenë se suksesi i forumit nuk varet nga ndonjë person. (Beta, RTS - 18/03/10)
19/03/2010
SARAJEVE, Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) -- Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko njoftoi të enjten (18 mars) se dega e Mostarit e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) do të mbyllet deri më 30 qershor, mbështetur në përparimin atje. Qyteti zgjodhi një kryebashkiak në dhjetor, kur këshilli i qytetit të Mostarit emëroi kroatin boshnjak Ljubo Beshliç për funksionin. Një paaftësi e mëparshme për të arritur një marrëveshje e mbajti postin bosh për më shumë se 14 muaj. (BHRT, Fena, OHR - 18/03/10)
19/03/2010
ZAGREB, Kroaci -- Qeveria miratoi të enjten (18 mars) një variant të rishikuar të planit të saj kundër korrupsionit, duke shkurtuar numrin e masave, por duke zgjeruar numrin e komisioneve dhe ministrive që i zbatojnë ato. Kryeministrja Jadranka Kosor thotë se rishikimi thekson mbikqyrjen e zbatimit të duhur të fondeve në dispozicion nga dhurime të ndryshme dhe thotë se plani do të përqëndrohet gjithashtu në transparencë më të madhe në financimin e partive politike. Ministri i Drejtësisë Ivan Simonoviç vuri në dukje se plani i rishikuar u krijua në bashkëpunim me Komisionin Europian. (HINA, Poslovni, Nova TV - 18/03/10)
19/03/2010
BUKURESHT, Rumani -- Udhëheqësi i sindikatës Marius Nistor i tha një konference shtypi të enjten (18 mars) se mësuesit do të bëjnë një grevë 24-orëshe më 22 prill për të shprehur pakënaqësinë e tyre me shkurtimet e planifikuara të pagave dhe shkurtimet nga puna. Që nga e hëna, mësuesit do të ndalin rregjistrimin e notave të nxënësve në dokumentet shkollorë dhe do të nisin të bojkotojnë provimet kombëtarë. Vendimi erdhi një ditë pasi qeveria miratoi një projekt-ligj të ri për arsimin dhe la dy javë për debatin publik përpara miratimit përfundimtar. Sindikata thotë se kjo nuk është kohë e mjaftueshme. (Mediafax, Agerpres, HotNews, Nine O'clock - 18/03/10)
19/03/2010
SARAJEVE, Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) -- Një gjykatë dënoi ish-policin Ljubisha Çetiç me 13 vjet burg të enjten (18 mars) për krime të luftës kundër civilëve të kryera gjatë konfliktit të 1992-1995. Çetiç u shpall fajtor për vrasjen e rreth 200 kroatëve dhe boshnjakëve nga Prijedori më 1992, në Koriçanske Stijene në Malin Vllashiç. Ai e pranoi fajin e tij. (RTRS, BHRT, Srna, Dnevni Avaz - 18/03/10)
19/03/2010
ATHINE, Greqi -- Një bombë e bërë vetë shpërtheu të premten herët (19 mars) jashtë zyrës së një grupi ekstremist të djathtë në Athinë. Shpërthimi shkaktoi dëme, por jo të plagosur. Zyra e Krysi Avgji (Agimi i Artë) është në katin e pestë të një ndërtese pranë Sheshit Omonia. Policia e evakuoi ndërtesën pas një telefonate paralajmëruese në gazetën e përditshme Eleftherotypia. (Reuters, CNN, ANA-MPA - 19/03/10)